FC Vushtrria ka reaguar ashpër pas bojkotit të një grupi lojtarësh, të cilët, sipas klubit, refuzuan të paraqiten në ndeshjen e sotme, pavarësisht zotimeve të dhëna në takimin e mbajtur një natë më parë.
Bordi pranon se paga e fundit ka pasur vonesë prej 20 ditësh, duke ia atribuuar këtë procedurave ligjore për sigurimin e dokumentacionit të sponsorizimit, por thekson se lojtarëve u është premtuar se pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme.
Në reagimin e tij, klubi vlerëson se bojkoti e ka vendosur në një situatë të vështirë dhe mund të sjellë pasoja sportive, përfshirë humbjen e ndeshjes në tavolinë. Vushtrria paralajmëron se çështja do të trajtohet me seriozitet, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe legjislacionin në fuqi, duke insistuar se problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe përgjegjësisë së përbashkët.
“FC Vushtrria është mbi interesat individuale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit, i cili ka zgjedhur mesazhin e qartë: “Klubi nuk shantazhohet nga askush”.
Postimi pa ndërhyrje i Vushtrrisë
Klubi nuk shantazhohet nga askush
Është për keqardhje ajo që ka ndodhur sot me klubin tonë. Situata e krijuar nuk është në interes të askujt dhe ka ardhur si pasojë e bojkotit të një grupi lojtarësh, të cilët, pavarësisht diskutimeve dhe zotimeve të dhëna, nuk pranuan të paraqiten në ndeshjen e sotme. Çështjet e brendshme të klubit duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, pa e dëmtuar klubin.
Bordi është i vetëdijshëm për vonesën 20-ditore të pagës së fundit për lojtarët e ekipit të parë, e cila është vonesa e parë e këtij lloji që nga hyrja e FC Vushtrrisë në Superligë. Bordi e merr përgjegjësinë për këtë situatë, e cila është shkaktuar nga procedurat ligjore për sigurimin e vërtetimeve të sponsorizimit. Dokumentacioni përkatës është kompletuar gjatë kësaj jave.
Në takimin e mbajtur mbrëmë, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e tifogrupit “Forca”, lojtarëve u është premtuar se pagat do të ekzekutohen gjatë javës së ardhshme. Po ashtu, përfaqësuesve të tifogrupit “Forca” u është premtuar shlyerja e një detyrimi që lidhet me organizimin e tyre të brendshëm. Pavarësisht këtyre zotimeve, lojtarët nuk pranuan të luanin në ndeshjen e sotme, duke e vënë klubin në një situatë të vështirë dhe duke rrezikuar humbjen e ndeshjes në tavolinë.
FC Vushtrria ka qenë ndër klubet me më së paku vonesa në përmbushjen e obligimeve ndaj lojtarëve. Jemi të vetëdijshëm se këto obligime duhet të përmbushen me kohë dhe po punojmë që situata të tilla të mos përsëriten.
Kompletimi i dokumentacionit për sponsorizim është një hap i rëndësishëm për klubin. Me mbështetjen e bizneseve më të fuqishme të qytetit, jemi të bindur se do të krijojmë kushte edhe më të qëndrueshme për funksionimin dhe zhvillimin e FC Vushtrrisë.
Megjithatë, bojkoti i ndeshjes së sotme dhe pasojat që mund të ketë për klubin janë shqetësuese. Bordi do ta trajtojë këtë çështje me seriozitet, në përputhje me rregulloret e brendshme të klubit dhe legjislacionin në fuqi, duke vlerësuar përgjegjësitë dhe rrethanat e krijuara.
FC Vushtrria është mbi interesat individuale. Çdo çështje që lidhet me klubin duhet të zgjidhet përmes komunikimit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Ne mbetemi të përkushtuar në organizimin dhe zhvillimin e klubit tonë të zemrës, me bindjen se do t’i tejkalojmë këto vështirësi dhe do të rikthehemi edhe më të fortë.
/Telegrafi/

