Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se do t’i drejtohen fillimisht Partisë Demokratike të Kosovës e më pas Presidentes së vendit, për të kërkuar sqarime lidhur me rikthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gucati, në emisionin “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se përmes një letre do të kërkojnë të dinë se cilat ndryshime duhet të bëhen në ligj dhe përse ai është kthyer në Kuvendin e Kosovës.
“Ne do t’i drejtohemi fillimisht Partisë Demokratike të Kosovës e pastaj Presidentes së vendit me letër ku do të kërkojmë të dimë se çfarë duhet ndryshuar në atë ligj dhe pse e ka kthyer ligjin në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu me të njëjtën letër do t’i drejtohemi edhe Grupit Parlamentar të PDK-së”, u shpreh Gucati.
Ai bëri të ditur se letra nuk është dërguar gjatë së premtes, pasi përfaqësuesit e organizatës ishin në dy varrime në Drenicë, por pritet të dërgohet të hënën.
“Do të kërkojmë të dimë se cilat nene nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, si dhe do të kërkojmë pikërisht nga PDK-ja që ishte sponsorizuese e këtij ligji, dhe ne 21 ditë ndejtëm në rrugë e protestuam dhe nuk na lajmëruan fare se pse e tërhoqën dhe e kthyen në Kuvend sërish”, deklaroi Gucati.

