Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso, në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, me ç'rast kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve kryesore infrastrukturore dhe ekonomike në vend, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se ky takim pason bisedimet e zhvilluara në prill në Londër, teksa vuri në dukje peshën financiare që BERZH-i ka luajtur në zhvillimin e vendit ndër vite, transmeton Klankosova.tv.
“Që nga anëtarësimi ynë në vitin 2012, Banka ka dhënë përkrahje financiare rreth 967 milionë euro në 151 projekte, në sektorin publik dhe në atë privat”, ka shkruar Kurti.
Kurti shtoi po ashtu se synimi kryesor për investimet e reja mbështetet mbi prioritetet strategjike të Kosovës, siç janë siguria energjetike dhe ujore, mbrojtja, transporti i qëndrueshëm dhe infrastruktura.

