Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka deklaruar se do të merren masa ndaj çdo operatori ekonomik në rast se konstatohen parregullsi në importin e mishit, duke theksuar se asnjë interes komercial nuk do të jetë mbi interesin e qytetarëve të Kosovës.
Muja ka bërë të ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet që nga shtatori, ndërsa po verifikon një nga një dërgesat e mishit të importuar nga Brazili.
Sipas tij, janë pranuar 240 analiza laboratorike, për 111 prej të cilave kanë dalë rezultatet. Pesë mostra kanë paraqitur parametra shqetësues dhe janë dërguar për verifikim jashtë vendit. Dy prej tyre lidhen me operatorin ekonomik Apetiti, ndërsa tri me operatorë të tjerë.
Muja ka bërë të ditur se janë duke u verifikuar gjithsej 1 mijë e 446 dërgesa të mishit nga Brazili, për periudhën nga janari deri më 5 shtator, ndërsa kontrollet përfshijnë të gjithë operatorët ekonomikë dhe jo vetëm kompaninë Apetiti.
Ai ka njoftuar se deri më 30 të këtij muaji pritet të përfundojë raporti përfundimtar, i cili do të bëhet publik.
Ministri ka thënë se autoritetet kosovare janë në pritje të raportit zyrtar nga Mali i Zi lidhur me dyshimet për parregullsi në disa dërgesa, përfshirë çështjet që lidhen me etiketimin e produkteve.
“Ju betohem që çdo gjetje do të komunikohet dhe çdo masë do të merret ndaj çdo operatori, përfshirë edhe këtij operatori”, ka deklaruar Muja.

