Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës se invalidët e luftës nuk duhet të presin për të marrë trajtimin e nevojshëm për proteza.
Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes, Teuta Haxhiu tha se ai nuk ka pranuar asnjë ankesë sa i përket këtij procesi.
“Nuk duhet të pres fare asnjë invalid i luftës, qoftë ai ushtar apo civil. Unë nga kontakti që i kemi vazhdimisht me shoqatat nga ata që kanë aplikuar më herët nuk e kam asnjë ankesë dhe dje pasi që u bë temë e kam thirrë në takim edhe drejtorin e fondit dhe nuk ka asnjë rast që ka pritur, e larg qoftë 3 vite. Prapë po e përsërisë mund të ndodhë që nuk janë të informuar të gjithë, megjithëse në konsultimet me shoqatat jemi pajtuar që në këtë pjesë të na ndihmojnë edhe shoqatat e dalura nga lufta për komunikimin me çdo invalid të luftës kur ka nevojë për proteza’’, tha ai.
Ai tha se në çdo rast ku evidentohet se invalidët janë lënë në pritje do të mirren masa të menjëhershme, kurse tha se në kompensim të çmimit të protezave, Kosova nuk ka limit.
Sipas tij, invalidët mund të zgjedhin protezën që iu përshtatet dhe institucionin përkatës kurse Fondi i Sigurimit Shëndetësor do të mbulojë komplet shumën qoftë për protezën apo mirëmbajtjen e saj.
“Mirëpo në çdo rast që evidentohet, natyrisht ju garantoj që do të mirren të gjitha masat ndaj atyre që e kanë lënë në pritje dikë që ka humb gjymtyrët në luftën tonë për liri dhe pastaj menjëherë do jeni dëshmitare që do merren masa nëse ka ndodhë, sepse informatat që i kam është se nuk ka ndodhë, por nëse ka ndodhë menjëherë do të jepet e gjithë shuma, sepse për dallim prej shumë vendeve… Në shumë vende këto proteza e kanë një limit të çmimit, në Kosovë vet invalidi i luftës mund ta zgjedh cilindo institucion, cilëndo protezë që atij i përshtatet më së miri dhe nuk ka limit në pagesë, komplet shuma që i kushton qoftë për protezën qoftë për mirëmbajtjen e protezës komplet mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”, shtoi Vitia.

