Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar përgjegjësi për cenimin e sigurisë në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, pasi një influencer ndërkombëtar arriti të hynte në këtë objekt dhe të publikonte pamje nga brenda tij.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Musliu ka thënë se rasti duhet të shërbejë si alarm për institucionet e sigurisë, ndërsa ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të identifikojë dhe të nxjerrë para përgjegjësisë personat që kanë qenë të ngarkuar me sigurinë e kampit.
Ajo ka bërë të ditur se është njoftuar zyrtarisht se Inspektorati Policor ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.
“Javën e kaluar në media u raportua se janë cenuar rëndë objektet vitale të sigurisë në Kosovë, fjalën e kam konkretisht për kampin e Njësisë Speciale në Vrellë të Fushë Kosovës. Ky lajm jo që është shqetësues, por duhet të ngre alarm për kujdes të shtuar dhe për përgjegjësi të plotë të personave përgjegjës”, deklaroi Musliu.
Deputetja e PDK-së ka theksuar se është e papranueshme që një person i huaj të hyjë në një objekt të ndjeshëm të sigurisë, të lëvizë brenda tij dhe të realizojë incizime pa u penguar.
“Prandaj, meqë jam njoftuar dhe zyrtarisht se Inspektorati Policor i Kosovës i ka filluar hetimet për këtë rast, dua t’i kërkoj zëshëm Inspektoratit Policor që t’i nxjerrë para përgjegjësisë personat të cilët kanë qenë përgjegjës për monitorimin apo sigurinë e këtij kampi”, u shpreh ajo.
Musliu ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, influenceri ka mundur të lëvizë nëpër kamp, duke e krahasuar situatën me një vizitë turistike.
Ajo ka thënë se është e papranueshme që një gazetar apo qytetar i huaj të hyjë në kamp, të incizojë dhe të kontrollojë hapësirat sikur të ishte pjesë e një vizite të organizuar.
“Për më tepër, përveçse ka bërë ato lëvizje, ka arritur që në mënyrë të qetë, pa u penguar nga askush t’i postojë në rrjetet sociale, në këtë rast në kanalin e tij në YouTube”, tha Musliu.
Ajo e ka cilësuar rastin si të papranueshëm dhe ka kërkuar që hetimet të çojnë në identifikimin e përgjegjësve për cenimin e sigurisë në këtë objekt. /Lajmi.net/

