KORREKT / SOT22 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

204 muaj në qeli në ShBA për shtetasin serb: Për çka u dënua?

204 muaj në qeli në ShBA për shtetasin serb: Për çka u dënua?

Një shtetas serb, i cili jetonte në Spanjë, është dënuar me 17 vjet burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një hetimi për trafikimin ndërkombëtar të kokainës në Distriktin Lindor të Teksasit.

FBI ka njoftuar se bëhet fjalë për Milan Tanoviqin, 59 vjeç, i njohur edhe me pseudonimin “Marco”, i cili u deklarua fajtor për komplot me qëllim posedimin dhe shpërndarjen e kokainës, ndërsa ndodhej në një anije që i nënshtrohej juridiksionit të ShBA-së, transmeton Klankosova.tv.

Vendimi u shpall më 15 tetor 2026 nga gjyqtari federal Sean D. Jordan, ndërsa rasti u bë i ditur nga prokurori amerikan për Distriktin Lindor të Teksasit, Jay R. Combs.

Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, Tanoviqi ishte identifikuar si një trafikant i përmasave të mëdha, i cili bashkëpunonte me persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, me bazë në Serbi dhe Shqipëri.

Hetuesit dyshojnë se rrjeti transportonte sasi që arrinin në tonë të tërë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës, duke përdorur anije transporti me kontejnerë.

Lidhja e Tanoviqit me disa ngarkesa të sekuestruara të drogës u identifikua përmes analizimit të bisedave në një platformë të enkriptuar të komunikimit, bëhet e ditur në njoftimin e autoriteteve amerikane.

Hetimi, pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar

Sipas njoftimit të FBI-së, rasti është pjesë e nismës së Task-Forcës për Sigurinë Kombëtare (Homeland Security Task Force – HSTF), e krijuar me urdhër ekzekutiv të presidentit amerikan, me qëllim luftimin e karteleve kriminale, organizatave ndërkombëtare të krimit të organizuar, bandave të huaja dhe rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Në hetim janë përfshirë disa agjenci amerikane të zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, agjencinë kundër drogës DEA, Shërbimin e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI), Byronë për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët (ATF), si dhe shërbime të tjera federale.

Operacioni ka pasur gjithashtu bashkëpunim ndërkombëtar përmes zyrave të DEA-s në disa vende, përfshirë Italinë, Brazilin, Spanjën, Austrinë, Kroacinë, Kolumbinë dhe Republikën Dominikane, si dhe përmes Europol-it.

Prokuroria në këtë çështje është udhëhequr nga Wes Wynne, ndihmësprokuror amerikan për Distriktin Lindor të Teksasit.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.