“45 autoambulancat e reja do t’u ndahen të gjitha institucioneve të shëndetit publik në vendin tonë. Duke nisur nga Likova, mandej Kumanova, Shkupi, kuptohet këtu bën pjesë edhe Çairi, Tetova, Gostivari, Struga, Kërçova, Dibra.”, – deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi për Radio Televizionin e Maqedonisë.
Zëdhënsja Azizi tha se këto automjete për ndihmë të parë janë tërësisht të pajisura, duke mundësuar që pacienti të marrë kujdesin mjekësor që në momentin e transportit deri në institucionin shëndetësor.
Venera Aziti tha se ky investim adreson një nevojë urgjente të personelit mjekësor, të cilët siç shtoi ajo, shpesh janë ballafaquar me mungesë automjetesh për të mbuluar njëkohësisht kërkesat në shumë zona.
Në kuadër të planeve të ardhshme, autoritetet kanë nisur bisedimet që brenda vitit 2027, me mbështetjen e partnerëve financiarë, të sigurohen edhe 50 autoambulanca shtesë.
“Gjithsesi se do të përmirësohet cilësia e shërbimeve mjekësore, duke marrë parasysh edhe investimet që planifikojmë t’i realizojmë në periudhën e ardhshme në sektorin e shëndetësisë konkretisht në Kërçovë dhe Tetovë”, – theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.

