Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ) është mbajtur në UBT, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e 67-të të kësaj organizate, i cili mbahet në Kosovë më 21–23 tetor 2026. Ky organizim merr rëndësi të veçantë pasi përkon me 70-vjetorin e themelimit të EOQ-së dhe 20-vjetorin e organizatës “Quality Kosova”, duke e vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare në fushën e cilësisë.
Gjatë Asamblesë, përfaqësuesit e organizatave kombëtare anëtare diskutuan për përgatitjet dhe koordinimin e kongresit, i cili do të mbledhë ekspertë, akademikë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës.
Takimi shërbeu gjithashtu për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e cilësisë.
Kongresi i 67-të i EOQ-së do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nën temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”.
Diskutimet do të përqendrohen në rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe transformimin digjital, me theks të veçantë në ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e besimit e të vlerave njerëzore.
Për EOQ-në, ky vit shënon 70 vjet nga themelimi i saj në vitin 1956. Gjatë këtyre dekadave, organizata ka kontribuar në avancimin e standardeve, zhvillimin e kulturës së cilësisë dhe ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar të ekspertëve dhe organizatave profesionale.
Në të njëjtën kohë, 20-vjetori i “Quality Kosova” shënon dy dekada angazhim në promovimin e cilësisë në Kosovë dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin evropian të kësaj fushe.
Organizimi i kongresit në vend përbën një mundësi për të rritur dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për të prezantuar kapacitetet e saj në cilësi, inovacion dhe zhvillim institucional.

