Një gjykatës në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta Platforms të paguajë 25 miliardë dollarë, pasi një juri konstatoi se kompania kishte mashtruar konsumatorët lidhur me privatësinë e të dhënave, në një çështje që lidhet me pretendimet se një kompani konsulente politike kishte siguruar pa pëlqimin e tyre të dhënat e miliona përdoruesve të Facebookut.
Prokurori i përgjithshëm i shtetit e kishte paditur Metën në vitin 2021, pas zbulimeve se Cambridge Analytica, një kompani britanike e konsulencës politike e përfshirë në fushatën presidenciale të Donald Trumpit më 2016, kishte mbledhur të dhënat personale të deri në 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut përmes një aplikacioni të palës së tretë.
Shteti e akuzoi Metën se kishte mashtruar përdoruesit e Facebookut në New Mexico lidhur me personat që kishin qasje në të dhënat e tyre, mënyrën e trajtimit të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave në platformë, si dhe politikat e tjera të brendshme të kompanisë.
Sipas autoriteteve të New Mexico-s, kompania e dinte se palët e treta kishin qasje të gjerë në të dhënat personale të përdoruesve. Ajo u akuzua gjithashtu se toleronte gjuhën e urrejtjes dhe përmbajtje të tjera të dëmshme kur kjo i sillte përfitime financiare.
Juria konstatoi miliona shkelje
Më 25 shtator, juria konstatoi se 26 nga 29 deklaratat e bëra nga kompania dhe drejtuesit e saj lidhur me këto çështje ishin mashtruese.
Anëtarët e jurisë përcaktuan se kompania kishte kryer më shumë se 43 milionë shkelje të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorëve në New Mexico. Numri i shkeljeve u llogarit duke u bazuar në numrin e përdoruesve të Facebook-ut ose banorëve të shtetit që kishin qenë audiencë e secilës deklaratë mashtruese.
Ligji i shtetit parasheh gjoba deri në 5 mijë dollarë për çdo shkelje. Të gjitha paratë e mbledhura nga gjoba do të shkojnë për sistemin arsimor të New Mexicos, shkruan reuters.
Gjatë një seance më 1 tetor, avokatët e shtetit kërkuan që gjoba të arrinte nga 35 deri në 40 miliardë dollarë. Ndërkaq, Meta kërkoi që shuma të kufizohej në 3.45 miliardë dollarë, duke argumentuar se një ndëshkim më i lartë mund t’i dekurajonte bizneset të operonin në këtë shtet.
Kompania mohoi se kishte shitur të dhënat e përdoruesve dhe pretendoi se shteti nuk kishte dëshmuar se ndonjë konsumator ishte mashtruar realisht.
Vendimi i dytë i madh kundër Metës në New Mexico
Ky është vendimi i dytë i rëndësishëm gjyqësor kundër Metës brenda gjashtë muajve në New Mexico.
Në procesin e parë, i përfunduar në mars, një juri në Santa Fe konstatoi se Meta kishte mashtruar përdoruesit lidhur me sigurinë e të rinjve në platformat Facebook, Instagram dhe WhatsApp, duke e urdhëruar kompaninë të paguante 375 milionë dollarë gjoba civile.
Pas një faze të dytë të atij procesi, gjykatësi e urdhëroi kompaninë të paguante edhe 567 milionë dollarë në një fond të New Mexico-s për shëndetin mendor të adoleshentëve.
Meta gjithashtu u detyrua të zbatonte masa shtesë për mbrojtjen e përdoruesve të rinj të Facebookut dhe Instagram-it në këtë shtet.
Këto vendime shtojnë presionin ligjor ndaj gjigantit të teknologjisë për mënyrën se si i trajton të dhënat personale dhe sigurinë e përdoruesve të platformave të tij. /Telegrafi/

