Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të Pentagonit janë të gatshëm t’i japin Kongresit amerikan informacione komprometuese për Sekretarin amerikan të Luftës, Pete Hegseth, ndërsa demokratët po përgatiten të nisin hetime ndaj tij nëse fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.
Demokratët tashmë kanë kontaktuar persona që mund të dëshmojnë për çështje të ndryshme që lidhen me drejtimin e Pentagonit nga Hegseth.
Nëse marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ata synojnë të thërrasin për dëshmi edhe persona nga rrethi i tij i ngushtë, përfshirë bashkëshorten dhe bashkëpunëtorin e lartë, Ricky Buria, raporton thetelegraph.
Në mesin e personave që mund të japin dëshmi janë edhe zyrtarë që janë larguar nga detyra, përfshirë ish-sekretarin e Ushtrisë, Dan Driscoll.
Sipas një burimi, disa zyrtarë janë të gatshëm të zbulojnë hollësi për çështjet që kanë ndodhur brenda Pentagonit, duke i paraqitur ato në mënyrë diskrete para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Kongresit.
Hetimet pritet të përqendrohen në disa çështje të diskutueshme, përfshirë rrjedhjen e informacioneve të njohur si “Signalgate”, mungesat e raketave interceptuese gjatë luftës me Iranin, sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge dhe kontratat e Pentagonit.
Një ligjvënës demokrat ka deklaruar se synimi përfundimtar është nisja e procedurës së fajësimit ndaj Hegseth, e cila mund të çojë në shkarkimin e tij nga detyra.
Megjithatë, largimi i tij përmes kësaj procedure do të ishte i vështirë, pasi për shpalljen fajtor në Senat nevojitet mbështetja e dy të tretave të senatorëve. Deri më tani, asnjë sekretar i kabinetit amerikan nuk është shpallur fajtor në një procedurë të tillë.
Ndërkohë, disa vlerësojnë se presidenti Donald Trump mund të vendosë ta shkarkojë vetë Hegseth, në vend që të përballet me publikimin e vazhdueshëm të informacioneve të pakëndshme për administratën e tij. /Telegrafi/

