Komuna e Kamenicës ka shpërndarë edhe 56 pako për foshnjat në kuadër të programit “Baby Box”, duke e çuar në 264 numrin e përgjithshëm të pakove të shpërndara deri më tani.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, nënkryetarja Arta Bajralija dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besart Kryeziu.
Me këtë rast, Rahimaj ka uruar prindërit për lindjen e fëmijëve të tyre, duke theksuar se mbështetja e familjeve dhe përmirësimi i mirëqenies së fëmijëve mbeten ndër prioritetet e komunës.
Sipas tij, pakot “Baby Box”, me vlerë mbi 300 euro, përmbajnë produkte të nevojshme për foshnjat dhe nënat, ndërsa një nga risitë e përfshira është edhe kamera për monitorimin e bebes.
“Përmes programit Baby Box, synojmë t’i mbështesim prindërit në ditët e para pas lindjes së foshnjave dhe t’ua lehtësojmë këtë periudhë të rëndësishme”, ka deklaruar Rahimaj.
Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me iniciativa që synojnë mbështetjen e familjeve dhe krijimin e kushteve më të mira për fëmijët. /Telegrafi/

