KORREKT / SOT21 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

“Barazim i varfërisë”, “Më mirë të rriteshin pagat” – Ekonomistë e deputetë me kritika për subvencionimin e rrymës

“Barazim i varfërisë”, “Më mirë të rriteshin pagat” – Ekonomistë e deputetë me kritika për subvencionimin e rrymës

Qeveria ka hapur afatin për aplikim në Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ka përcaktuar edhe kriteret e aplikimit në këtë program për vitin 2026/2027, që do të jetë i hapur nga 19 tetori 2026, e deri më 31 mars 2027-të.

Por, këto politika qeverisëse kanë hasur në kritika të ekonomistëve dhe partive opozite.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha se më mirë do të ishte që disa kategorive, e sidomos pensionerëve, qeveria t'ua rriste të ardhurat.

"Më mirë do të kishte qenë që kategoritë e cënueshme të prekeshin direkt. P.sh pensionistëve t'u rriten pensionet, veteranëve e invalidëve të luftës t'u rriteshin pagat, pra më mirë ndihmë direkte. Tash vie buxheti dhe aty ka mundësi të ndahen më shumë para për kategoritë që kanë më shumë nevojë", tha Kadrijaj.

Ajo tha se ka frikë që subvencionimi i rrymës do të përfundojë sikur ai i subvencionimit të bujqve.

"Ne nuk jemi kundër vendimeve të mira. Ne e përshëndesim çdo vendim të mirë, por kam frikë se subvencionimi i energjisë elektrike, do të përfundojë sikur ajo e subvencionimeve në Bujqësi, ku në vend se ato t'u jepeshin bujqve që punojnë, një pjesë e madhe e parave kanë përfunduar te militantët", tha ajo për Klankosova.tv.

Kurse, ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova nuk e ka merituar të jetë e varur nga subvencionimi i energjisë.

"Dhe ajo çka është më shqetësuese është se mungon transparenca sa i përket çmimeve të importit. Në këtë rast kemi të bëjmë me barazim të varfërisë se sa zhvillim ose reduktim të varfërisë", deklaroi Gërxhaliu për Klankosova.tv.

Gërxhaliu tha se shtetit i duhet një vizion se kah duhet të ecë ekonomia.

"Në rend të parë Kosova ka nevojë për një stabilitet politk, kemi qenë dy vjet pa institucione. Duhet një plan zhvillimor, një vizion se kah duhet të ecë shteti me zhvillimin ekonomik. Dy vjet kemi pasur mungesë të institcioneve, kemi qenë edhe nën sanksione nga Bashkimi Evropian. Ekonomia duhet përfundimisht të depolitizohet", theksoi ai.

Ai përmendi edhe inflacionin, për të cilin tha se Kosova e ka më të lartin në Ballkan.

"Duhet të kuptohet që inflacioni është një sëmundje kancerogjene. Kosova e ka një inflacion më të lartë në Ballkan dhe te 4-tin në Bashkimin Evropian. Është e vërtetë që Qeveria nuk sjell inflacion, por duhet të gjendet zgjidhja. Se a është ngrirja e akcizës apo heqja e TVSH-së për produktet apo investimet strategjike, kjo duhet të diskutohet mes pozitës dhe opozitës", shtoi ish-kreu i OEK-ut për Klankosova.tv.

Cilat kategori përfitojnë?

Mbështetja në formë të subvencionimit të faturës së energjisë elektrike, sipas këtij programi, u ofrohet ekonomive familjare që përdorin energjinë elektrike për nevoja të amvisërisë dhe të cilat pas shqyrtimit dhe verifikimit të të dhënave, rezultojnë se i përmbushin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë program.

Për të përfituar nga ky program, Ekonomia Familjare duhet të plotësojë në mënyrë kumulative kriteret, si në vijim:

-Të gjithë anëtarët e Ekonomisë Familjare të jenë shtetas të Republikës së Kosovës me banim të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës ose shtetas të huaj të pajisur me leje të qëndrimit të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës;

-Të hyrat mesatare mujore për një periudhë prej 12-të muajve të fundit të Ekonomisë Familjare, të jenë të barabarta ose më pak se njëqind e pesëdhjetë euro (150 €) për anëtar të Ekonomisë Familjare;

-Vlera kumulative e patundshmërive (testi i aseteve) në pronësi të anëtarëve të Ekonomisë Familjare të jetë e barabartë ose më pak se njëqind mijë euro (100,000.00 €).

Kujtojmë që ditë më parë, këtë çështje e ka trajtuar edhe KIKS Kosova.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.