Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka hedhur një mori kritikash për gjendjen në këtë sektor, duke akuzuar pushtetin aktual për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të buxhtetit.
Deputeti i LDK-së ka akuzuar për ndërhyrjet në listën esenciale të barnave dhe dyshimet për interesa financiare të lidhura me kompani farmaceutike.
“E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi dhe kemi theksuar se kemi të bëjmë, së pari, me keqmenaxhim, por edhe me interesa financiare që dyshohet se janë të ndërlidhura me kompani të ndryshme farmaceutike, me ndërhyrje në listën esenciale të barnave dhe me keqpërdorim të tenderëve, për t’ua dhënë kompanive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar vonesa, por edhe e kanë rënduar jetën e pacientëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.
Për Zemajn, rritja e buxhetit nga Qeveria nuk ka sjellë rezultatet e pritshme për pacientët. Ai ia atribuon këtë paaftësisë së Qeverisë dhe mungesës së përgjegjësisë në menaxhimin e sektorit.
“Të gjitha këto së bashku, sepse paaftësia e Qeverisë dhe mungesa e vëmendjes ndaj këtij sektori shumë të rëndësishëm dhe vital, për të mos thënë papërgjegjësia e plotë në menaxhimin e buxhetit, i cili kohë pas kohe ka qenë në rritje, por është keqpërdorur, po kthehen sërish në disfavor të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës”, shtoi ish-ministri.
Deputeti i LDK-së insiston se buxheti për shëndetësinë nuk është i mjaftueshëm. Megjithatë, ai ka shtuar se menaxhimi më i mirë i mjeteve financiare, respektimi i afateve të furnizimit dhe administrimi i duhur i stokut të barnave do të mund të krijonin kushte më të mira për pacientët.
“Jo, nuk është i mjaftueshëm dhe asnjëherë nuk ka qenë i mjaftueshëm. Por, nëse menaxhohet mirë, nëse respektohen afatet e furnizimit, nëse respektohet menaxhimi i stokut dhe nëse menaxhohet në mënyrë të duhur trajtimi i pacientëve, atëherë mund të krijohen kushte dhe rrethana më të mira për qytetarët dhe pacientët që marrin shërbime në institucionet publike shëndetësore. Por, kur kemi keqmenaxhim, keqpërdorim, ndërhyrje në tenderë dhe interesa personale të njerëzve të lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me pushtetin, atëherë as buxheti nuk është i mjaftueshëm”, shtoi ai.
Më tej, Zemaj ka akuzuar pushtetin për ndërhyrje në punën e profesionistëve shëndetësorë dhe për emërimin e personave që, sipas tij, nuk i kanë kompetencat e nevojshme për drejtimin e institucioneve shëndetësore.
Ai pretendon se këto ndërhyrje kanë ndikuar në krijimin e listave të gjata të pritjes, të cilat, sipas tij, po i shtyjnë pacientët drejt institucioneve private shëndetësore.
“Ky pushtet ka ndërhyrë në vazhdimësi në punën e profesionistëve shëndetësorë, duke ndërhyrë te drejtorët e klinikave, duke emëruar njerëz jo kompetentë dhe duke larguar njerëz me grada shkencore dhe përvojë menaxheriale. Për këtë arsye janë krijuar edhe listat e gjata të pritjes, të cilat janë në favor të institucioneve private shëndetësore. Jo pse ne kemi diçka kundër tyre, por duket se ka interesa të brendshme, të lidhura me partinë në pushtet, të cilat kanë këmbëngulur më shumë në ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e buxhetit të tyre personal në institucionet private shëndetësore sesa në eliminimin e listave të pritjes dhe në ndihmën ndaj pacientëve dhe qytetarëve që marrin shërbime në institucionet publike shëndetësore”, përfundoi ish-ministri. /EO

