Letonia i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë për një hetim të plotë dhe të paanshëm për sulmin në Banjskë, duke theksuar se, tri vjet pas sulmit të vitit 2023, drejtësia ende nuk është vënë në vend.
Këto qëndrime i shprehu zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Letonisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Oëegs Iëis, gjatë diskutimit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Është për të ardhur keq që pas tri viteve pas sulmit të dhunshëm në Banjskë në vitin 2023, drejtësia ende nuk ka rënë në vend. I bëjmë thirrje Serbisë që të demonstrojë bashkëpunim konstruktiv për hetim të plotë e të paanshëm; ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës para ligjit”, deklaroi Iëis.
Ai tha se Letonia e mirëpret përzgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke i uruar sukses në përmbushjen e përgjegjësive të saj.
“Shpresojmë që ky zhvillim do të kontribuojë në stabilitetin institucional dhe do t'i mundësojë Kosovës që t'i bëjë reformat kryesore dhe të adresojë sfidat e mbetura”, tha ai.
Iëis theksoi se Letonia vazhdon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe qeverisjen përfshirëse, duke i cilësuar këto si thelbësore për stabilitetin e vendit dhe integrimin evropian.
Në të njëjtën kohë, ai shprehu shqetësimin e Letonisë për ndryshimet e fundit në ligjin për Gjykatën Speciale.
“Ne e respektojmë mandatin dhe pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara për të siguruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet”, u shpreh ai, duke e inkurajuar Kosovën që t'i përmbushë zotimet ndërkombëtare dhe të vazhdojë reformat.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, përfaqësuesi letonez u bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe retorikën që mund të rrisë tensionet dhe të dëmtojë besimin ndërmjet komuniteteve.
“I kërkojmë të dyja palëve që të demonstrojë vullnet politik dhe të kërkojë e të bëjë kompromise kuptimplota në mënyrë që të me të zbatohen të gjitha aranzhimet dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve, sepse ato janë esenciale për të pasur paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon”, tha Iëis.
Ai gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Sipas tij, ky bashkëpunim kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin në terren. Megjithatë, ai përsëriti rëndësinë që misionet ndërkombëtare të mbeten efektive në përmbushjen e qëllimeve të tyre. “Në këtë aspekt, Letonia mbështet një rishikim strategjik të mandatit të UNMIK-ut dhe rolit të tij të mëtutjeshëm”, deklaroi ai.
Në përfundim, Iëis rikonfirmoi përkushtimin e Letonisë për paqe dhe siguri në Kosovë, përfshirë përmes kontributit të saj në KFOR, si dhe mbështetjen për një Kosovë stabile, ku të gjitha komunitetet mund të jetojnë në paqe.

