Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, ka reaguar me zemërim në konferencën për media kur është pyetur lidhur me mundësinë e marrjes së drejtimit të Manchester Unitedit, në rast se «Djajtë e Kuq» shkarkojnë trajnerin Michael Carrick.
Como dhe Manchester Unitedi do të përballen të mërkurën nga ora 18:45 në kuadër të Ligës së Kampionëve, me italianët që po përjetojnë një ecuri historike në këtë garë, përkundrejt periudhës së vështirë dhe luhatjeve që po kalon gjiganti anglez.
Gjatë konferencës zyrtare, një gazetar e pyeti drejtpërdrejt spanjollin nëse do të pranonte të ulej në stolin e “Old Traffordit” në vend të Carrickut, pyetje të cilën Fabregas e cilësoi si krejtësisht të pavend dhe mosrespektuese, transmeton Klankosova.tv.
Nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Është një pyetje e keqe. Ju nuk keni respekt për një lojtar dhe trajner të shkëlqyer si Michael Carrick. Kemi një ditë historike përpara dhe dua të qëndroj te Como sa më gjatë të jetë e mundur”, deklaroi me ton të prerë Fabregas.
Ish-mesfushori spanjoll, i cili gjatë karrierës si futbollist është përballur shpesh me Carrickun në Premierligë, theksoi vlerësimin e madh që ka për të dhe refuzoi kategorikisht të ushqejë spekulimet për stolin e Unitedit.
Për Comon, kjo është një periudhë magjike në historinë e klubit pas rikthimit në elitë dhe kualifikimit në Champions League, ku këtë edicion tashmë ka shkëlqyer me një fitore bindëse 4-1 ndaj Leipzigut, ndonëse pësoi një humbje të ngushtë 3-2 nga Feyenoordi.

