KORREKT / SOT21 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

SHBA godet fort në OKB: Mbylleni UNMIK-un, koha e tij ka përfunduar dhe nuk ka më vend në Kosovë

SHBA godet fort në OKB: Mbylleni UNMIK-un, koha e tij ka përfunduar dhe nuk ka më vend në Kosovë

Zëvendëspërfaqësuesja e misionit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka deklaruar se progresi afatgjatë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varet nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku po diskutohet raporti gjashtëmujor i shefit të UNMIK-ut, Bruce u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e besimit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.

Ajo tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkan.

“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm esenciale. Presidenti Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”, deklaroi Bruce, raporton Klankosova.tv.

Ajo theksoi se progresi afatgjatë duhet të vijë nga vetë Kosova dhe Serbia.

“Progresi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, tha ajo.

Bruce kërkoi gjithashtu mbylljen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke argumentuar se mandati i tij nuk i përgjigjet më realitetit aktual në vend.

Sipas saj, Kosova e sotme dallon ndjeshëm nga ajo e vitit 1999, ndërsa prania e KFOR-it, Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe agjencive të tjera të OKB-së ofron mekanizma më të përshtatshëm për kryerjen e detyrave që kanë mbetur në mandatin e UNMIK-ut.

“Ne vëzhgojmë me një mision të tejkaluar. Nuk mund të pretendojmë se misioni ka ndonjë rol të konsiderueshëm në qeverisjen e Kosovës”, tha Bruce.

Ajo e cilësoi UNMIK-un si një mision me shumë staf, por pa paqeruajtës, duke vlerësuar se vazhdimi i tij, pasi e ka përfunduar punën, nuk i ndihmon askujt dhe mund t’i dëmtojë grupet e cenueshme.

Bruce kritikoi edhe pamundësinë e Këshillit të Sigurimit për të rishikuar mandatin e misionit, duke e cilësuar këtë si shenjë të mosfunksionimit të sistemit të OKB-së.

“Paaftësia jonë për të rishikuar mandatin e përhershëm të UNMIK-ut është një shenjë paralajmëruese serioze e mosfunksionimit të sistemit të OKB-së, është paaftësia jonë për të vepruar kur momenti e kërkon veprimin”, deklaroi ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja amerikane theksoi se Këshilli i Sigurimit duhet të zgjedhë mes vazhdimit të misionit dhe administrimit më të mirë të burimeve të Kombeve të Bashkuara.

“Koha e këtij misioni ka përfunduar”, përfundoi Bruce./Telegrafi.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.