Parlamenti Evropian ka miratuar rregulla të reja që forcojnë ndjeshëm të drejtat e pasagjerëve në rast të ndërprerjes apo vonesës së udhëtimeve në të gjitha mënyrat e transportit brenda Bashkimit Evropian.
Sipas legjislacionit të ri, udhëtarët gëzojnë të drejtën e një rimbursimi të plotë brenda 14 ditëve përmes një formulari standard të unifikuar, i cili do të jetë i qasshëm në uebsajtin e Komisionit Evropian në të gjitha gjuhët e BE-së, raporton euronews.com, transmeton Klankosova.tv.
Rregullorja përcakton qartë se përgjegjësi për rimbursim mbajnë edhe agjencitë e udhëtimit apo platformat online të rezervimeve.
Nëse ndërmjetësi dështon ta kthejë pagesën në kohë, linja ajrore është e detyruar ta rimbursojë drejtpërdrejt pasagjerin.
Krahas kësaj, paketa e miratuar me 652 vota pro parasheh që shoqëruesit e personave me aftësi të kufizuara të udhëtojnë falas në fluturime sa herë që paraqitet nevoja, ngjashëm siç veprohet tashmë në trena, autobusë dhe anije.

