Tammy Bruce, zëvendëspërfaqësuesja e misionit amerikan në OKB, ka thënë se paqja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm nga ato dyja, e jo nga Këshilli i Sigurimit.
Në fjalën e saj në KS të OKB-së, ku po diskutohet raporti 6-mujor i shefit të UNMIK-ut, ajo tha se Presidenti Donald Trump admiron si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, dhe kërkon nga Ballkani paqe, stabilitet dhe prosperitet.
“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm esenciale. Presidenti Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Në këtë drejtim u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”.
“Progresi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, deklaroi zëvendëspërfaqësuesja amerikane në OKB, raporton Klankosova.tv.
Bruce tha se Këshilli i Sigurimit duhet ta mbyllë UNMIK-un sepse Kosova e sotme nuk është ajo e vitit 1999.
“Ne vëzhgojmë me një mision të tejkaluar. Nuk mund të pretendojmë se misioni ka ndonjë rol të konsiderueshëm në qeverisjen e Kosovës. KFOR, BE, OSBE dhe disa agjenci tjera të OKB-së janë të pranishme, dhe shumë më mirë në pozicion për të kryer atë punën e kufizuar që UNMIK-u vazhdon ta kryejë. Ajo që mbetet është mision paqeruajtës me shumë staf e pa paqeruajtës. Mbajtja e një misioni paqeruajtës pas kryerjes së punës së vet nuk i ndihmon askujt, por edhe i dëmton të cenueshmit. Paaftësdia jonë për të rishikuar mandatin e përhershëm të UNMIK-ut është një shenjë paralajmëruese serioze e mosfunksionimit të sistemit të OKB-së, është paaftësia jonë për të vepruar kur momenti e kërkon veprimin. Mund ta mbajmë UNMIK-un ose mund të jemi nikoqirë të mirë të pasurisë së OKB-së, por s’mund të jemi të dyja”, deklaroi Tammy Bruce.
Koha e këtij misioni, sipas saj, tha se ka përfunduar.

