Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua mediave pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku u trajtuan tre çështje kryesore: siguria politike dhe ushtarake në rajon dhe botë, siguria energjetike dhe siguria e Serbisë, si dhe veprimet e fundit ushtarake amerikane në Venezuelë.
Vuçiq vlerësoi se rendi i vjetër botëror është duke u shembur, dhe se ligjet ndërkombëtare dhe Kartat e Kombeve të Bashkuara nuk funksionojnë në praktikë, pavarësisht se ekzistojnë në letër.
Ai tha se pas veprimeve në Venezuelë kjo është bërë më se e qartë, dhe se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për këtë realitet.
Sipas mediave serbe, Vuçiq gjithashtu shprehu shqetësim për armatosjen e vazhdueshme të Prishtinës, duke e cilësuar si një shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila sipas tij është “në praktikë pezulluar” nga fuqitë e mëdha perëndimore dhe disa aktorë rajonalë. Ai përmendi edhe një aleancë të re mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, të cilën e konsideron një kërcënim specifik ndaj sovranitetit të Serbisë.
Duke folur për ushtrinë, Vuçiq tha se Serbia do të përgatitet për mbrojtje nga ata që nuk fshehin më kërcënimet e tyre, duke njoftuar se brenda një viti e gjysmë synon të dyfishojë kapacitetet ushtarake, duke përfshirë edhe forcimin e njësive speciale. Ai theksoi gjithashtu se Serbia duhet të mbështetet te vetja dhe të jetë e gatshme, sepse nuk pret ndihmë nga askush tjetër në rast të kërcënimeve të ardhshme.