Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe aktorëve politikë që të zgjedhin dialogun dhe të shmangin përshkallëzimin e tensioneve.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Begaj ka theksuar se kërkesat e protestuesve, veçanërisht të rinjve, meritojnë të dëgjohen, por ka nënvizuar se dhuna dëmton shoqërinë dhe rrezikon bashkëjetesën demokratike.
“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar Begaj.
Megjithatë, kreu i shtetit shqiptar ka theksuar se protestat duhet të zhvillohen pa akte dhune.
“Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike”, thuhet në reagimin e tij.
Begaj u ka bërë thirrje të gjithë të përfshirëve që të tregojnë maturi dhe përgjegjshmëri, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe dialog në këto momente.
“U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit”, ka thënë presidenti.
Ai gjithashtu ka shprehur urimet për shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, qofshin policë apo protestues, si dhe ka inkurajuar forcat e rendit në përmbushjen e detyrave të tyre.
Në fund të reagimit, kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar se mbetet i hapur për të ofruar hapësirë për dialog dhe mirëkuptim, duke u bërë thirrje aktorëve të përfshirë që të angazhohen në bashkëpunim në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së Shqipërisë.

