Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet pasnesër në Miloçer të Budvës, në Mal të Zi.
Në mesin e pjesëmarrësve të këtij samiti do të jenë edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.
Pjesëmarrëse do të jetë edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë qëndrimit në Mal të Zi do të zhvillojë takime me udhëheqësit e vendit dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Kos do të diskutojë me përfaqësuesit malazezë për përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe reformat e nevojshme për këtë proces.
Ndërkohë, mediat malazeze raportojnë se komisionarja evropiane pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin do të diskutojë për zhvillimet e fundit në vend.
Bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të jenë ndër temat kryesore të samitit.
Në listën e pjesëmarrësve të publikuar nga Qeveria e Malit të Zi figurojnë gjithashtu drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Botërore, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal. /Lajmi.net/

