Komandanti i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, është takuar në Tiranë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme me partnerët rajonalë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, në fokus të takimit ishin bashkëpunimi operacional dhe komunikimi, me theks në rëndësinë e koordinimit për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
“KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin e tij për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar në vitin 1999”.

