Një person është arrestuar sot në Gjilan, nën dyshimet se ka mashtruar qytetarët e Kosovës duke përfituar rreth 200 mijë euro nën pretendimet se vua nga leukemia akute.
Përmes Gofund me, qytetarë të shumtë të Kosovës, ndihmuan Endrit Azemin, identiteti i të cilit është mësuar nga lajmi.net.
Por, kjo nuk ishte mënyra e vetme për të ndihmuar atë.
Mashtrimit të Endrit iu bashkuan me vetëdije apo jo edhe familjarë dhe qytetarë të shumtë.
Nën një tezgë të vendosur në sheshin e Gjilanit, ata kanë mbledhur para të gatshme nga qytetarët.
“Po iu lutna me na dhënë shpresë, me ardh me na vizitu dhe me na ndihmu me aq sa keni. Mos na humbni shpresën, Endritin e duam nl mesin tonë”, ka shkruar motra e tij Kosovare Azemi e cila ka publikuar njoftimin se do të mbledhin para në shesh.



Në lidhje me këtë mashtrim, sot ka shkruar edhe aktori i njohur kosovar, Fatmir Spahiu i cili ka njoftuar se ka rënë pre e këtij mashtrimi.
Spahiu ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që, sipas tij, qytetarët po mashtrohen përmes thirrjeve të tilla, duke shfrytëzuar ndjenjën e solidaritetit dhe gatishmërinë e njerëzve për t’i ndihmuar personat në nevojë.
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij për këtë situatë, duke theksuar se mashtrimi përmes pretendimeve për probleme shëndetësore është veçanërisht i rëndë, pasi prek drejtpërdrejt ndjenjat dhe humanitetin e njerëzve.
“Po bëhet hera e dytë që me faqen kredibile për ndihmë e solidaritet GoFundMe, po na mashtrojnë shqiptarët e përgjakur. Qysh more ashtu?”, ka shkruar Spahiu.
Ai ka kritikuar mungesën e kujdesit dhe verifikimit para se qytetarët të kontribuojnë financiarisht, duke pranuar se edhe përkundër kujdesit të tij, është zhgënjyer për herë të dytë.
Në reagimin e tij, aktori ka theksuar se mashtrimi me shëndetin e njerëzve është i papranueshëm dhe ka shprehur keqardhje për keqpërdorimin e solidaritetit qytetar.
Çka tha Prokuroria sot?
Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për mashtrim, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar rrejshëm se vuante nga sëmundja e leukemisë akute.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një ngjarje të pavërtetë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Ai kishte hapur edhe një llogari në platformën “GoFundMe”, përmes së cilës kishte kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë, kinse për shërim dhe rehabilitim.
Nga kjo fushatë dyshohet se janë grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.
Pas verifikimit të historisë së tij, autoritetet kanë konstatuar se i dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.
Me të marrë informacionet e para, Prokuroria dhe Policia kanë ndërmarrë veprime hetimore, duke bllokuar fillimisht paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në kuadër të rastit. Ndërkohë, i dyshuari ishte vendosur në kërkim policor.
Ai është arrestuar më 21 nëntor 2026, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti po hetohet për veprën penale të “Mashtrimit”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Duhet theksuar se personi në fjalë konsiderohet i dyshuar dhe vlen parimi i prezumimit të pafajësisë. Fajësia e tij mund të vërtetohet vetëm me një vendim përfundimtar të gjykatës. /Lajmi.net/

