Në kohën kur në Kosovë është miratuar Ligji për Gjykatën Specialen, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka dalë me një video lidhur me qëndrimin e këtij institucioni ndaj proceseve gjyqësore në Hagë dhe kritikave për ndikime nga jashtë.
Në emisionin “Kosova Today”, lidhur me këtë çështje kanë diskutuar opinionistët Afërdita Maliqi, Muharrem Kafexhiu, dhe Gazmend Morina.
Sipas Morinës, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, po e vazhdon avazin e vjetër.
“Qëllimi i saj përfundimtar është për me i dënu krerët e UÇK-së, dhe faktikisht me kriminalizu luftën e UÇK-së”, u shpreh ai në Klan Kosova.
Ndërsa sipas Maliqit, Ligji për Specialen kur të hyjë në fuqi, me patjetër duhet të zbatohet.
“Dhomat e Specializuara janë krijuar në bazë të një ligji të miratuar në Kuvendin e Kosovës, dhe çfarëdo ndryshime që vinë nga Kuvendi i Kosovës duhet të zbatohen nga Dhomat e Specializuara”, deklaroi Maliqi.
Sipas saj, Trendafilova ka mbajtur njëanshmëri gjatë gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Kurse Kafexhiu deklaroi se Trendafilova përgjatë gjithë procesit, sipas tij, ajo nuk ka qenë korrekte as te mediat.
“Me një anë po ankohet që ka shumë fake news karshi Gjykatës Speciale, ndërsa nga ana tjetër refuzon të paraqitet para mediave përmes konferencave”, tha ai në “Kosova Today”.

