Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve A.P. dhe G.H., të cilët, sipas aktgjykimit, kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale të “Blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas njoftimit të gjykatës, A.P. është dënuar me katër vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, ndërsa G.H. është dënuar me dy vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë, transmeton Klankosova.tv.
Përveç kësaj, gjykata ka obliguar secilin prej të akuzuarve të paguajë nga 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Të akuzuarit janë obliguar që gjobat t’i paguajnë brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Në rast se nuk mund ose nuk dëshirojnë t’i paguajnë, gjobat mund të zëvendësohen me burgim, sipas llogaritjes prej 20 eurosh për një ditë burgimi.
Gjykata, sipas njoftimit, po ashtu ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e 10 paketimeve me substancë narkotike të llojit kokainë, me peshë totale prej 3 gramësh, një këllëfi të armës së llojit alltia, si dhe qeseve të najlonit që përdoreshin për paketimin e marihuanës.

