Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se protestat e ditëve të fundit po shfrytëzohen nga grupe të ndryshme për të nxitur dhunë dhe për të destabilizuar vendin, duke mohuar se aktet e dhunshme kanë të bëjnë me kërkesat e nxënësve dhe studentëve.
Gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve në Ministrinë e Arsimit, Rama tha se institucionet arsimore janë vendosur në qendër të vëmendjes për të krijuar përshtypjen se protestat lidhen me arsimin, ndërsa, sipas tij, qëllimi i vërtetë është të kamuflohen veprimet e dhunshme.
“Institucioni i cili është bërë objekt i sulmit dhe agresionit të vërtetë është vendosur në qendër të vëmendjes për një arsye, për të kamufluar ç’ka në të vërtetë është në durimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin, për të justifikuar kësisoj këtë valë dhune që s’ka të bëjë me nxënësit e studentët, por me një grup njerëzish ku ka nga të gjithë”, deklaroi Rama.
Ai tha se në grupet që sulmojnë policinë ka edhe studentë që, sipas tij, janë të ekstremizuar politikisht, por theksoi se e drejta për të protestuar nuk duhet të ngatërrohet me aktet e dhunës.
“Në atë grup që agreson policinë, që mban në një presion terrori qytetin, ka dhe studentë të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, që i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë dhe s’do jenë asnjëherë as studentët, as qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës”, u shpreh kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama mori në dorë një gur, të cilin e përdori për të ilustruar rrezikun që, sipas tij, paraqesin sulmet ndaj policisë. Ai argumentoi se një objekt i tillë mund të shkaktojë pasoja të rënda kur hidhet drejt trupave policore.
“Ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie. Ky gur është objekti që përcakton ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar”, tha Rama.
Kryeministri akuzoi gjithashtu grupe të ndryshme se po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë e qytetarëve për të penguar zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sipas tij, këto grupe synojnë të krijojnë destabilitet në një moment që ai e cilësoi si të rëndësishëm për vendin dhe përparimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Duart që janë futur këtu për të shfrytëzuar manifestimin e pakënaqësisë qytetare për arsye nga më të ndryshmet, janë duar që së bashku kërkojnë të shfrytëzojnë një moment, një boshllëk, një hapësirë të krijuar për të frenuar ecurinë e mëtejshme të vendit tonë, për të destabilizuar një vend që ka qenë eksportues i stabilitetit në këtë pjesë të Europës, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe për ta frenuar procesin e negociatave në BE”, deklaroi Rama.

