Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe i akuzuari tjetër Igor Dimoviq, ngarkohen lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, u dëgjua Tiana Viqentijeviq.
Kjo dëshmitare, e cila është mbesa e të akuzuarve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ishte parë me të akuzuarin Jovan në ditën e ngjarjes kritike, pasi ai kishte shkuar në Zubin-Potok për t’u përgatitur për punë.
Po ashtu, dëshmitarja Viqentijeviq shtoi se kishte biseduar me Jovanin përreth 10-15 minuta, e më pas ai ishte nisur për punë. Ajo sqaroi se kjo kishte ndodhur afër orës 19:00 të asaj dite, dhe shtoi se ndërrimi i punës i të akuzuarit Jovan fillon në orën 20:00.
Tutje, dëshmitarja deklaroi se i akuzuari Jovan kishte shkuar në punë së bashku me kolegun e tij, i cili e kishte pritur jashtë shtëpisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, për të akuzuarin Dragisha Viqentijeviq, dëshmitarja tha se e kishte parë në orët e pasdites kur kishte ardhur me veturë, mirëpo nuk kishte biseduar me të atë ditë.
Më pas, prokurori Armend Zenelaj propozoi që seanca e sotme të ndërpitet, pasi që prokurorit të rastin i kishte dalë një urgjencë dhe kishte ardhur vetëm për ta zëvendësuar me qëllim që kjo seancë mos të shtyhet.
Këtë propozim, nuk e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve.
Andaj, pas dëgjimit të palëve, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili aprovoi propozmin e prokurorit Zenelaj dhe seanca e sotme u ndërpre.
Në këtë rast, për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit akuzohen dy vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

