Ngjarja e organizuar nga AMC dhe Tip1omël synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të avokojë për qasje në teknologjitë e domosdoshme për menaxhimin e diabetit te fëmijët në Kosovë.
Personat që jetojnë me diabet të tipit 1 dhe familjarët e tyre do t’i ndajnë përvojat personale me qytetarët të martën, më 20 tetor, në Kafe Llafe, një ngjarje e organizuar nga Action for Mothers and Children (AMC), në partneritet me Tip1omël, në Sheshin Zahir Pajaziti.
Ngjarja do të fillojë me një konferencë për media nga ora 15:00 deri në 15:30, e cila do të pasohet nga Biblioteka e Gjallë, nga ora 15:30 deri në 18:00. Ndryshe nga një bibliotekë tradicionale, ku vizitorët huazojnë libra, Biblioteka e Gjallë u mundëson qytetarëve të bisedojnë drejtpërdrejt me njerëz që ndajnë historitë e tyre personale. Në Kafe Llafe, pjesëmarrësit do të flasin për përvojat e tyre të jetesës me diabet të tipit 1 ose të kujdesit për një familjar që jeton me këtë gjendje.
Pjesëmarrja është falas dhe ngjarja është e hapur për të gjithë qytetarët. Ajo do të mbahet pavarësisht kushteve atmosferike.
Kafe Llafe është pjesë e fushatës së vazhdueshme avokuese të AMC-së dhe Tip1omël, përmes së cilës i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës të sigurojë qasje në pajisjet për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM) dhe pompat e insulinës për fëmijët që jetojnë me diabet të tipit 1. Këto pajisje e bëjnë menaxhimin e diabetit më të lehtë dhe më të sigurt, por shumë familje në Kosovë nuk kanë mundësi financiare t’i sigurojnë ato.
Shpimet e shpeshta të gishtave për matjen e glukozës, injeksionet e shumta ditore dhe nevoja për monitorim të vazhdueshëm mund ta bëjnë jetën të lodhshme dhe të dhimbshme. Për prindërit e fëmijëve me diabet të tipit 1, frika e vazhdueshme nga përkeqësimet e papritura shëndetësore mund të ndikojë në çdo aspekt të jetës së përditshme, përfshirë mundësinë për të punuar dhe për t’u kujdesur për familjen.
Pajisjet CGM (monitorët e vazhdueshëm të glukozës) matin vazhdimisht nivelin e glukozës dhe mund t’i paralajmërojnë përdoruesit kur niveli i sheqerit në gjak arrin vlera të rrezikshme, ndërsa pompat e insulinës mundësojnë administrimin e insulinës gjatë gjithë ditës. Këto teknologji mund ta përmirësojnë kontrollin e glukozës dhe të ndihmojnë në uljen e rrezikut të hipoglikemisë së rëndë (rënies së rrezikshme të nivelit të sheqerit në gjak). Mbajtja e nivelit të glukozës brenda vlerave të shëndetshme për një kohë të gjatë mund të zvogëlojë edhe rrezikun e komplikimeve afatgjata, përfshirë sëmundjet e zemrës, dëmtimin e veshkave, syve dhe nervave.
AMC dhe Tip1omël kanë nisur një peticion publik për të kërkuar qasje më të mirë në këto teknologji të domosdoshme. Peticioni deri më tani ka mbledhur mbi 2,250 nënshkrime. Gjatë ngjarjes, qytetarët do të kenë mundësi të informohen më shumë rreth fushatës dhe ta nënshkruajnë peticionin.
Përmes Kafe Llafe, organizatorët synojnë të nxisin një kuptim më të mirë të diabetit të tipit 1, të luftojnë keqkuptimet rreth kësaj gjendjeje dhe të rrisin mbështetjen e publikut për politika që do ta përmirësonin jetën e fëmijëve dhe familjeve të prekura.
Detajet e ngjarjes
Çfarë: Kafe Llafe – Ngjarje ndërgjegjësuese për diabetin e tipit 1 dhe Biblioteka e Gjallë
Kur: E martë, 20 tetor
Ku: Para amfiteatrit, Sheshi Zahir Pajaziti, Prishtinë
15:00–15:30: Konferencë për media
15:30–18:00: Biblotekë e Gjallë – Biseda me persona që jetojnë me diabet të tipit 1 dhe familjarët e tyre
Pjesëmarrja: Falas dhe e hapur për të gjithë
Peticioni: https://www.change.org/diabetescarekosovo

