Gazetari Shkumbin Kajtazi ka deklaruar se, sipas informacioneve që posedon, cikli zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës pritet të nisë së shpejti.
Në "Kosova Today", Kajtazi tha se Bedri Hamza e kishte paralajmëruar edhe më herët qëndrimin e tij se nuk do të kandidojë më për kryetar të PDK-së.
“Me sa kam informacione, cikli zgjedhor do të nisë së shpejti. Hamza ka zgjedhur ta çojë partinë në zgjedhje dhe ua ka kumtuar bashkëpunëtorëve se nuk do të kandidojë më. Këtu kanë nisur edhe informacionet se ai ka dhënë dorëheqje. Hamza e ka paralajmëruar këtë qëndrim dhe, me sa di unë, në mbledhjet e fundit u ka thënë se nuk do të kandidojë më, por do të jetë kryetar deri sa të nisë cikli zgjedhor”, ka deklaruar Kajtazi.

