Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se disa institucione kanë pranuar një mesazh elektronik që përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Sipas njoftimit zyrtar, mesazhi është evidentuar gjatë ditës së sotme dhe është dërguar në disa adresa elektronike të institucioneve.
Nga verifikimet paraprake, dyshohet se emaili është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Policia bën të ditur se mënyra e dërgimit të mesazhit ngjan me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme ishin dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit po kryejnë hetime për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, si dhe për të zbardhur rrethanat e rastit dhe identifikuar personat përgjegjës.
Deri më tani, policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me institucionet që kanë pranuar mesazhin apo me natyrën konkrete të kërcënimeve. /Telegrafi/

