KORREKT / SOT19 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Rama nuk tërhiqet, protestat në Shqipëri hyjnë në javën e dytë

Rama nuk tërhiqet, protestat në Shqipëri hyjnë në javën e dytë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se personat e maskuar që kanë marrë pjesë në përplasjet e dhunshme të ditëve të fundit, nuk përfaqësojnë studentët dhe kërkesat e tyre për arsim më të mirë.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit, të hënën, Rama tha se protestat janë shndërruar në një valë dhune që, sipas tij, nuk lidhet më me pakënaqësitë ndaj Qeverisë.

“Kjo nuk është revoltë për arsimin”, tha Rama, duke akuzuar protestuesit e dhunshëm se po sulmojnë policinë, institucionet dhe bizneset.

Ai përjashtoi mundësinë e negociatave me personat që përdorin dhunë, ndërsa një ditë më herët pretendoi se pas trazirave qëndrojnë edhe ndikime të huaja.

Ai përmendi Rusinë dhe Iranin, por nuk paraqiti prova publike që dëshmojnë përfshirjen e tyre.

Protestat, të nisura nga studentët për shkak të pakënaqësive me sistemin arsimor, mungesën e vendeve të punës dhe korrupsionin, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër Qeverisë.

Çfarë ndodhi të dielën në Tiranë?

Protesta e 18 tetorit, e gjashta me radhë, nisi rreth mesditës para Ministrisë së Arsimit, ku studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të tjerë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.

Një pjesë e demonstruesve u zhvendos më pas drejt sheshit “Skënderbej” dhe institucioneve të tjera në qendër të Tiranës.

Protestuesit hodhën gurë, mjete piroteknike dhe bomba molotov drejt forcave të policisë, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.

Përplasjet u përhapën në disa pjesë të kryeqytetit, ndërsa u raportuan zjarre dhe dëmtime në ndërtesa publike, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Komisariatin nr. 3 të Policisë.

Tensione pati edhe pranë selive të dy partive më të mëdha politike, Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se deri në orën 21:00 të së dielës, 28 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në dy spitale, përfshirë policë, protestues, kalimtarë dhe një përfaqësuese të medias.

Në mes të tensioneve, Rama anuloi një vizitë zyrtare të planifikuar për 19 tetor në Vjenë, ku pritej të takohej me kancelarin austriak, Christian Stocker.

Si nisën protestat?

Vala e fundit e protestave nisi më 13 tetor, e nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike.

Por, kërkesat u zgjeruan shpejt përtej çështjeve arsimore.

Protestave iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, të cilët shprehin pakënaqësi me koston e jetesës, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes.

Ato morën hov në një klimë pakënaqësie të krijuar edhe nga kundërshtimet e mëhershme ndaj një projekti turistik luksoz, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjatë javës së kaluar, protestat u përhapën edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa përplasjet me policinë u intensifikuan.

Sipas agjencisë Reuters, deri të dielën autoritetet ngritën akuza penale ndaj 388 personave në lidhje me protestat.

Qindra u ndaluan, ndërsa shtatë policë u pezulluan nga detyra në pritje të hetimeve për dyshime për përdorim të tepruar të forcës.

Lëvizja, megjithatë, nuk ka një përfaqësim të vetëm politik.

Një pjesë e protestuesve shprehin pakënaqësi jo vetëm me Qeverinë, por edhe me opozitën tradicionale.

Reagimet ndërkombëtare

Përshkallëzimi i dhunës nxiti reagime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Komisioni Evropian dënoi sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës, duke theksuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për protesta paqësore.

Përfaqësuesit e BE-së kërkuan që autoritetet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të përdorin forcë proporcionale.

Ambasada amerikane në Tiranë bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangie të dhunës, ndërsa disa ligjvënës amerikanë, përfshirë Joe Wilson dhe Keith Self, shprehën shqetësim për situatën dhe kërkuan respektimin e të drejtave të protestuesve.

Zhvillimet vijnë në një periudhë kur Shqipëria synon të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE, me objektivin e shpallur nga Qeveria për t’u bërë pjesë e bllokut deri në vitin 2030.

Rama argumentoi se protestat e dhunshme mund ta dëmtojnë këtë proces.

Çfarë pritet më tej?

Rama, i cili është në pushtet që nga viti 2013 dhe fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, nuk dha sinjale se do t’u përgjigjet kërkesave për dorëheqje.

Nga ana tjetër, protestuesit paralajmëruan vazhdimin e mobilizimit, ndërsa mbetet e paqartë nëse lëvizja do të arrijë të ruajë pjesëmarrjen dhe të formulojë kërkesa të përbashkëta përtej largimit të kryeministrit.

Përshkallëzimi i dhunës shtoi edhe presionin për hetimin e sulmeve ndaj policisë dhe institucioneve, si dhe të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj demonstruesve. REL

Fotografi nga protesta:

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.