KORREKT / SOT18 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

10 policë të plagosur në Tiranë, drejtori i Policisë: Sulmi ndaj komisariatit nuk është protestë

10 policë të plagosur në Tiranë, drejtori i Policisë: Sulmi ndaj komisariatit nuk është protestë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, duke bërë të ditur se 10 punonjës policie kanë mbetur të plagosur.

Në një deklaratë publike, Hita tha se komisariati u sulmua në orët e mbrëmjes nga grupe personash të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe efektivëve të policisë.

“Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit”, deklaroi Hita.

Ai theksoi se efektivët e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sulmi ka krijuar rrezik serioz jo vetëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.

“Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë. Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”, u shpreh ai.

Hita bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të policisë, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa efektivëve të tjerë.

Ai tha se prej gjashtë ditësh punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërsa vijojnë të përmbushin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

“Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë”, deklaroi Hita, duke shtuar se çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar, ndërsa policia ka detyrimin ta mbrojë atë.

“Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private”, tha ai.

Hita bëri të ditur se ka udhëzuar strukturat policore të vijojnë detyrën me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

“Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve”, theksoi ai.

Ai u bëri thirrje personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin ato menjëherë, ndërsa qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore u kërkoi të distancohen nga personat që përdorin dhunën.

Në fund të deklaratës, Hita u shpreh se policia nuk duhet të shihet si kundërshtare e qytetarëve, duke vënë theksin te rëndësia e besimit dhe bashkëpunimit me publikun.

“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre. Nuk duhet dhe nuk mund të krijohet një klimë armiqësie ndërmjet qytetarëve dhe punonjësve të Policisë”, deklaroi ai.

Hita u shprehu mbështetjen efektivëve që po shërbejnë gjatë protestave dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të plagosur.

“Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe garantimi i rendit publik janë detyrimi ynë dhe përgjegjësia jonë e panegociueshme”, përfundoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.