Selvije Jao, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka reaguar për situatën në Shqipëri, duke bërë thirrje për solidaritet mes shqiptarëve, pavarësisht kufijve që i ndajnë.
Përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se në momente të tilla duhet kujtuar se shqiptarët, pavarësisht se jetojnë në vende të ndryshme, janë një popull dhe duhet të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.
“Mos ta lëmë popullin shqiptar vetëm! Sot, më shumë se kurrë, duhet ta kujtojmë se pavarësisht kufijve që na ndajnë, ne në fund të ditës jemi një”, shkruan Jao.
Ajo u është drejtuar veçanërisht shqiptarëve në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo që jetojnë, duke u kërkuar të mos i kalojnë në heshtje zhvillimet në Shqipëri dhe të mos qëndrojnë indiferentë ndaj protestave të studentëve në Tiranë.
Sipas saj, kur një student lëndohet apo një i ri ngre zërin për atë që beson, kjo nuk duhet të shihet si një çështje që u përket vetëm qytetarëve të Tiranës.
Ajo i konsideron të rinjtë si pjesë të një të ardhmeje të përbashkët, duke theksuar se shqetësimi për ta duhet të ndihet nga të gjithë shqiptarët.
Jao ka bërë gjithashtu thirrje që ata që nuk mund të marrin pjesë fizikisht në protestë, ta shpërndajnë mesazhin dhe t’i japin më shumë zë kërkesave të studentëve.
“Sepse kur lëndohet njëri prej nesh, nuk duhet të dhembë vetëm në Tiranë. Duhet të dhembë edhe në Prishtinë, në Tetovë, në Shkup, në çdo vend ku rreh një zemër shqiptare”, ka shkruar ajo.
Në fund të mesazhit, bashkëshortja e Shpatit ka përsëritur thirrjen për bashkim, duke kërkuar që zëri i studentëve të mos mbetet i vetëm dhe që shqiptarët të mos ia kthejnë shpinën njëri-tjetrit në momente të vështira. /Telegrafi/

