Këngëtarja shqiptare, Era Istrefi, ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me protestat në Shqipëri, duke ndarë me ndjekësit një mesazh që lidhet me ndryshimet shoqërore, pabarazinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë.
Përmes një postimi në InstaStory, artistja ka shprehur bindjen se zemërimi që po shfaqet në shoqëri mund të ketë një domethënie më të thellë, duke lënë të kuptohet se situata aktuale mund të jetë një pikënisje për ndryshime të rëndësishme.
“Ndoshta krejt kjo çka po ndodhë është për një qëllim universal më të mirë! Krejt ky mllef nuk është ardhë rastësisht! Ndoshta është koha për një revolucion. Edhe kjo është mënyra e vetme që ka mujt me u dëgju”, ka shkruar ajo.
Foto: Instagram
Megjithatë, mesazhi i artistes nuk është përqendruar vetëm te pakënaqësia dhe kërkesa për ndryshim.
Këngëtarja ka shprehur gjithashtu dëshirën që zhvillimet të çojnë drejt një shoqërie më të drejtë, ku dallimet e mëdha ekonomike të mos e bëjnë jetën të papërballueshme për një pjesë të qytetarëve.
“Lutem që të balancohen gjërat. Mos të ketë njerëz shumë të pasur dhe shumë të varfër! Ta arrijmë një mes të artë!”, ka shkruar tutje.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e postimit ka qenë shqetësimi i saj për pasojat që mund të sjellin zhvillimet e fundit.
Istrefi ka shprehur shpresën që ndryshimet të arrihen pa trauma, shkatërrime apo pasoja të rënda, duke bërë thirrje për solidaritet me njerëzit që po kërkojnë të dëgjohen.
“Dashuri për të gjithë guximtarët! E për njerëzit në pushtet, lutem që të veprojnë në të mirën universale të njerëzimit”, shtoi mes të tjerash Era. /Telegrafi/

