Një 49-vjeçar nga Brazili shiti të gjitha gjërat e tij personale dhe udhëtoi mbi 1.900 kilometra për të takuar gruan me të cilën besonte se do të ndërtonte të ardhmen, por zbuloi se ajo ishte një personazh i krijuar me inteligjencë artificiale.
Edimar Rocha Martins kishte nisur të ndiqte profilin e një gruaje të quajtur Jessica Oliveira në rrjetet sociale që nga viti 2020.
I bindur se kishte gjetur dashurinë e jetës, më 9 tetor shiti gjithçka për të udhëtuar drejt Belo Horizonte, por me të mbërritur mësoi se gruaja nuk ekzistonte.
Profili, që kishte rreth 300 mijë ndjekës, publikonte video të një gruaje të krijuar me inteligjencë artificiale, e cila pretendonte se kërkonte një partner që do të jetonte me të në fermën e saj.
Personi që qëndronte pas profilit pranoi se personazhi ishte krijuar me AI, duke shpjeguar se synimi ishte rritja e ndërveprimeve për qëllime komerciale, por mohoi se kishte komunikuar drejtpërdrejt me Martinsin.
Pasi mbeti pa para, 49-vjeçari kërkoi ndihmë nga autoritetet lokale, të cilat i mundësuan kthimin në shtëpi.
Pavarësisht zhgënjimit, ai nuk ka hequr dorë nga kërkimi i dashurisë dhe thotë se do të kthehet sërish në Belo Horizonte me shpresën për të gjetur dikë me të cilin mund të ndërtojë një jetë të përbashkët. /Telegrafi/

