Administrata Tatimore vijon angazhimin në terren për evidentimin dhe dokumentimin e dëmeve të shkaktuara nga protesta e ditëve të fundit ndaj bizneseve në Tiranë.
Përmes grupeve të verifikimit, po kryhet vlerësimi i situatës në bizneset e prekura, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të dëmeve të shkaktuara.
Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve të dëmtuara që të raportojnë dëmet edhe përmes shërbimit elektronik “Dëmi im” në platformën e-Albania.
Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibahimaj, përmes një reagimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se në të gjithë vendin janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate.
Ibahimaj theksoi se, ndonëse kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet, protesta nuk duhet të shoqërohet me akte shkatërrimi.
“Në emër të protestës studentore, prej ditësh po dëmtohen biznese, prona dhe veçanërisht degë bankare e bankomate”, shkroi ministrja.
Sipas saj, pasojat e këtyre akteve nuk prekin vetëm subjektet e dëmtuara, por edhe qytetarët që varen nga shërbimet e tyre të përditshme.
“Askush nuk fiton nga kjo dhunë, pasojat do t’i vuajnë të gjithë”, u shpreh Inbahimaj, duke e mbyllur reagimin me një thirrje për ndalimin e situatës: “Kjo situatë duhet të merr fund!”

