Kryengritësit Houthi të Jemenit kanë vazhduar sulmet ndaj Arabisë Saudite, ndërsa Egjipti ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar mbretërisë çdo ndihmë të nevojshme për mbrojtjen e saj.
Përderisa luftimet përgjatë vijës së frontit në Jemen po vazhdojnë, kryengritësit e grupit Ansar Allah, të njohur si Houthi, kanë vazhduar sulmet ndaj Arabisë Saudite. Edhe pse, sipas njoftimeve, asnjëri prej sulmeve nuk ka qenë i suksesshëm, është bërë e ditur se mbrojtja ajrore saudite, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar së paku pesë raketa balistike dhe një numër fluturakesh pa pilot, të cilat ishin lëshuar drejt caqeve në Riad dhe në pjesë të tjera të vendit.
Sulmet vijnë në kohën kur forcat qeveritare të Jemenit, të përkrahura nga aviacioni i Arabisë Saudite, po vazhdojnë të zhvillojnë luftime të ashpra përgjatë vijës së frontit, në kuadër të ofensivës së quajtur “Agimi i Jemenit”, e cila ka për qëllim rikthimin e të gjitha territoreve të humbura që nga viti 2014.
Deri më tani, forcat qeveritare kanë arritur të rikthejnë qindra kilometra katrorë territor të humbur, ndërsa udhëheqësit e fushatës kanë shprehur optimizëm për rezultatin përfundimtar të saj.
Ndërkohë, Egjipti ka deklaruar se do t’i ofrojë Arabisë Saudite çdo ndihmë të nevojshme për ta mbrojtur vendin nga sulmet e Houthive, duke iu bashkuar kështu Turqisë dhe Pakistanit, të cilat tashmë kanë filluar zhvendosjen e teknologjisë dhe të trupave ushtarake drejt Arabisë Saudite.
Edhe pse nuk pritet që vendet e tjera të dërgojnë trupa për të luftuar kundër Houthive, vendosja e forcave aleate në Arabinë Saudite do t’i lironte forcat e Riadit për t’iu bashkuar forcave qeveritare të Jemenit në front.
Deri më tani, mbretëria nuk ka bërë të ditur nëse do të dërgojë trupa ushtarake në Jemen. Megjithatë, medie të ndryshme kanë raportuar se Arabia Saudite është në proces të përgatitjes së rreth 100 mijë ushtarëve, të cilët mund të dërgohen në Jemen për t’u përballur me Houthit.

