Mesfushori i Real Betisit, Giovani Lo Celso, ka shprehur pakënaqësinë e tij me vendimet e gjyqtarit në humbjen 2-5 ndaj Barcelonës, duke vënë në pikëpyetje nëse të njëjtat vendime do të merreshin edhe në favor të katalunasve.
Barcelona triumfoi në javën e nëntë të La Ligës, në një ndeshje të shoqëruar me disa episode të diskutueshme.
Lo Celso pa t’i anulohej një gol në fund të pjesës së parë, ndërsa bashkëlojtari i tij, Facundo Bernal, u përjashtua me karton të kuq pas një përplasjeje me Lamine Yamalin.
“A do të anulohej edhe po të shënonte Barcelona?”
Duke folur për golin e anuluar, argjentinasi pranoi se episodi ishte i vështirë për t’u gjykuar, pasi aksioni përfshinte disa momente të diskutueshme, përfshirë prekjen me dorë të Cucho Hernandezit.
“Unë mund të flas për situatat që i kam përjetuar në fushë. Në fund, prekja e Cuchos mund të jetë ose jo faull, por në atë aksion ndodhin shumë gjëra. Ka një devijim, topi ngrihet dhe ka një duel me kokë për topin. Sinqerisht, nuk e di”, deklaroi Lo Celso.
Më pas, mesfushori ngriti një pyetje që ka shtuar polemikat pas ndeshjes.
“Por, nëse Barcelona do ta kishte shënuar atë gol, a do të anulohej gjithashtu për atë prekje me dorë? Nuk e di të vërtetën, por po them se aty ka një duel me kokë dhe ndodhin shumë gjëra gjatë një ndeshjeje”, shtoi ai.
“Vendim i diskutueshëm”
Lo Celso e cilësoi të diskutueshëm anulimin e golit, duke theksuar se ky episod ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e takimit.
“Është një moment vendimtar. Të kalosh nga barazimi në pjesën e parë në disavantazh 2-1 e ndryshon krejtësisht situatën. Më pas, pasi e ngushtuam rezultatin në 3-2, mendoj se përjashtimi praktikisht e përfundoi ndeshjen”, u shpreh argjentinasi për Stadio Deportivo.
Polemika për kartonin e kuq të Bernalit
Mesfushori i Betisit komentoi edhe përjashtimin e Facundo Bernalit, duke vënë në dukje dallimin në ndëshkimet e dhëna për dy lojtarët e përfshirë në përplasjen me Lamine Yamalin.
“Ishte thjesht një përplasje mes dy lojtarëve. Njëri ndëshkohet me karton të kuq të drejtpërdrejtë, ndërsa tjetri merr karton të verdhë”, deklaroi Lo Celso.
Megjithatë, argjentinasi theksoi se skuadra e tij luftoi deri në fund, pavarësisht vështirësive ndaj Barcelonës.
“Ajo që marr me vete është përpjekja e ekipit, i cili luftoi deri në fund, pavarësisht se përballë kishte skuadrën më të mirë në Evropë në këtë moment”, përfundoi Lo Celso. /Zëri

