Pas shpalosjes së platformës së re politike dhe strategjisë zhvillimore nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deputeti i këtij subjekti politik, Burim Ramadani, ka deklaruar për Klan Kosova se vendi po hyn në një fazë të re të opozitarizmit, duke paralajmëruar përkeqësim të situatës në disa sektorë jetikë.
Ramadani theksoi se pas konstituimit të institucioneve qendrore, Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës, misioni i opozitës bëhet domosdoshmëri për t’u treguar qytetarëve realitetin në vend.
Tashmë është e qartë që Kosova hyn në fazën tjetër, që është zhvillimi i opozitarizmit nga ana e Aleancës. Ajo që është tepër me rëndësi është që ka domosdoshmëri që qytetarëve t’ua qartësojmë dhe t’u tregojmë që gjendja nuk është e mirë, por ajo ka trend të përkeqësimit si në siguri, si në energji dhe si në zhvillim, e cila aktualisht mbetet vetëm si koncept i mohuar”, tha Ramadani për Klan Kosova.
Ai nënvizoi se subjekti i tyre nuk do të tërhiqet nga kjo rrugë dhe se opozitarizmin e shohin si përgjegjësi të madhe politike e shtetërore.
Ne nuk do të ndalemi, kjo është një betejë politike që do të vazhdojë dhe si e tillë ne në Aleancë e shohim si përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, sepse siç e tha edhe kryetari Gjini, Aleanca është kyçe në opozitëbërje”, tha Ramadani.
KK

