Një diamant i rrallë rozë po ekspozohet në Francë për herë të parë që kur u vodh, pothuajse 100 vjet më parë, kur edhe u shfaq për herë të fundit para publikut.
Guri i çmuar nëntë-karatësh, në formë dardhe, i njohur si "Grand Conde", u vodh gjatë një bastisjeje gjatë natës në Chateau de Chantilly në tetor të vitit 1926 dhe u fsheh brenda një molle, transmeton Klankosova.tv.
Diamanti – një nga të paktat bizhuteri mbretërore që i mbijetoi Revolucionit Francez – u gjet disa javë më vonë, kur një shërbyese e uritur në hotelin ku qëndronin hajdutët, kafshoi mollën.
Sipas BBC, ai do të ekspozohet sërish në Muzeun Conde, në Chateau de Chantilly, deri më 3 janar.
Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, u shpreh se, ndonëse historia me mollën mund të duket e pabesueshme, ajo u pasqyrua gjerësisht në gazetat e asaj kohe.
Diamantet rozë natyralë janë jashtëzakonisht të rrallë dhe shpesh shiten për dhjetëra miliona dollarë. Çmimi më i lartë i arritur ndonjëherë për një të tillë në ankand ishte 71,2 milionë dollarë në vitin 2017, sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby's. /Klankosova.tv

