Lionel Messi vazhdon të lërë gjurmë përtej futbollit. Një specie e re bimore, e zbuluar në malet e Andeve në Peru, është emërtuar Salvia messii, në nderim të tetë herë fituesit të Topit të Artë.
Bima u identifikua nga një ekip shkencëtarësh peruanë dhe argjentinas.
Ajo tërheq vëmendjen me lulet e saj në ngjyrë të kaltër të çelët dhe të bardhë, që kujtojnë fanellën e kombëtares së Argjentinës, me të cilën Messi u shpall kampion bote në vitin 2022.
Rritet në lartësi mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit
Salvia messii është një shkurre aromatike që mund të arrijë deri në 1.5 metra lartësi. Ajo rritet në shpatet shkëmbore të Andeve qendrore dhe jugore të Perusë, në lartësi prej 2.000 deri në 2.400 metrash mbi nivelin e detit.
Edhe pse prania e kësaj bime ishte vërejtur më herët, identifikimi dhe përshkrimi i saj zyrtar kërkuan kërkime të mëtejshme shkencore, përfshirë ekspedita në terren dhe analizimin e mostrave.
Emri i Messit u zgjodh si një homazh për ndikimin e jashtëzakonshëm të futbollistit argjentinas në mbarë botën. Ngjyrat e luleve ishin një tjetër arsye që e lidhën këtë specie me kapitenin e Argjentinës.
Megjithatë, zbulimi vjen edhe me një shqetësim: Salvia messii është klasifikuar si specie e rrezikuar, për shkak të kërcënimeve ndaj habitatit të saj, përfshirë zjarret dhe thatësirat.
Kështu, emri i Messit do të mbetet i lidhur jo vetëm me rekordet dhe trofetë në futboll, por edhe me një specie të veçantë bimore të Andeve peruane. /Zëri

