Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, po zhvillon aktivitete të shumta informuese dhe edukative në të gjitha rajonet e vendit.
Sipas njoftimit të IKShPK-së, aktivitetet po realizohen përmes Qendrave Rajonale të Shëndetit Publik, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, arsimore dhe partnerët lokalë.
Në Pejë janë organizuar aktivitete solidariteti, përfshirë dhurimin e flokëve në mbështetje të grave që përballen me kancerin e gjirit, si dhe ligjërata edukativo-shëndetësore.
Në Prizren janë mbajtur aktivitete simbolike me mbjelljen e fidanëve nga gratë e mbijetuara dhe organizata “Burrneshat”, si dhe ligjërata në disa lokalitete.
Ndërkaq, në Mitrovicë është organizuar marsh tradicional në shenjë solidariteti dhe ndërgjegjësimi, ndërsa në Gjilan, Ferizaj dhe Prishtinë janë zhvilluar ligjërata informuese në shkolla, institucione publike dhe qendra shëndetësore.
“Përmes këtyre aktiviteteve, synohet rritja e ndërgjegjësimit për faktorët e rrezikut, njohja e shenjave dhe simptomave, rëndësia e kontrolleve të rregullta dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit.
Kujdesi për shëndetin fillon me informimin dhe veprimin në kohë! Kontrollohu, për veten, për jetën!”, shkroi IKShPK./Klankosova.tv

