Protestat e ditëve të fundit në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen edhe të medias prestigjioze britanike BBC, e cila raporton për përshkallëzimin e demonstratave në Tiranë dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë.
Siç shkruan BBC, protesta vijon edhe këtë enjte, me një situatë mjaft të tensionuar, sidomos në kryeqytet.
“Disa demonstrues thyen xhama, u vunë flakën kioskave dhe shkulën gardhe metalike nga trotuaret, ndërsa policia ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Demonstratat nisën të martën, përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët dolën në rrugë për të kërkuar kushte më të mira në universitete dhe më shumë mundësi punësimi pas përfundimit të studimeve”, shton më tej, krahas pamjeve.
U bënë plot 4 ditë që vendi ynë është futur në një kaos të vërtetë.
Në frontin e parë të përplasjeve të dhunshme kanë qenë kryesisht të rinj apo edhe të mitur.
Janë dëmtuar institucione shtetërore dhe jo vetëm. Vetëm në Tiranë janë vënë në pranga 127 persona, ndërsa janë lënduar 120 efektivë.
Ende nuk mund ta parashikojmë se si do shkojë kjo situatë, ndërsa Policia u ka bërë apel prindërve që të mbajnë fëmijët e tyre larg këtij tubimi./Tv Klan

