Ylli i WWE-së, John Cena, ka folur hapur për vendimin e tij për të mos pasur fëmijë, duke kundërshtuar pritshmëritë shoqërore dhe presionin që shpesh u bëhet njerëzve për t’u bërë prindër.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin “What Now? with Trevor Noah”, Cena u pyet drejtpërdrejt nga bashkëprezantuesi Eugene se si kishte arritur të mos bëhej baba. Përgjigjja e tij ishte e papritur dhe me stilin e tij karakteristik, të drejtpërdrejtë, transmeton Klankosova.tv.
“Spermatozoidi im nuk e ka fekonduar kurrë një vezë. Kjo është arsyeja pse nuk kam fëmijë”, u shpreh aktori dhe mundësi i njohur, duke shkaktuar reagime me përgjigjen e tij të sinqertë.
Megjithatë, përtej humorit, Cena dha një mesazh të qartë kundër presionit shoqëror për t’u bërë prind. Ai theksoi se fakti që të tjerët mendojnë se dikush do të ishte një “baba i mirë” nuk do të thotë se ai person është i detyruar të ketë fëmijë.
Sipas tij, prindërimi është një përgjegjësi e madhe dhe një angazhim për gjithë jetën, të cilin nuk mund ta braktisësh thjesht nëse kupton se nuk është ajo që dëshiron.
Cena bëri të ditur se vendimin për të mos pasur fëmijë e kishte diskutuar me bashkëshorten e tij, Shay Shariatzadeh, përpara martesës. Të dy kishin rënë dakord të vazhdonin jetën pa fëmijë, duke i dhënë përparësi lirisë personale dhe karrierave të tyre.

