KORREKT / SOT16 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Kodi Civil pritet të rikthehet në Kuvend, deputetët kundërshtues nuk ndryshojnë qëndrim

Kodi Civil pritet të rikthehet në Kuvend, deputetët kundërshtues nuk ndryshojnë qëndrim

Qeveria e Kosovës pritet ta rikthejë për shqyrtim në Kuvend Kodin e ri Civil, pas dështimit të miratimit të tij në vitin 2022 për shkak të kundërshtimeve lidhur me dispozitën për bashkimet civile mes personave të së njëjtës gjini.

Sipas programit legjislativ të Qeverisë Kurti 4, projektligji do t’i nënshtrohet rishikimit dhe pritet t’i dërgohet Kuvendit duke rihapur mundësinë e debatit politik për këtë çështje.

Megjithatë, për kundër shumë përpjekjeve dhe premtimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të siguruar votat për kalimin e projektligjit të Kodit Civil, ky i fundit tash e katër vite po zvarritet herë në Qeveri e herë në Kuvend.

Disa nga deputetët e mazhorancës që kanë votuar kundër këtij Projektligji vazhdojnë të mos i ndryshojnë qëndrimet e tyre, derisa edhe nga opozita kanë qëndrime të njëjta.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi, ka deklaruar se fillimisht duhet të shihet se çfarë ndryshimesh do të pësojë Kodi i ri Civil gjatë procesit të rishikimit.

“Duhet të presim dhe të shohim fillimisht se çfarë ndryshon në rishikim ky projektligj”, ka thënë Demi-Murtezi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, njëherësh ish-deputeti i LVV-së, ka paralajmëruar kundërshtim edhe më të madh ndaj Kodit të ri Civil, nëse projektligji rikthehet në Kuvend me të njëjtën përmbajtje si në vitin 2022.

Rrahmani duke folur për “Front Online” ka bërë thirrje që deputetët ta shqyrtojnë me kujdes përmbajtjen e projektligjit.

“Kundërshtimi ndaj këtij Kodi Civil, nëse sillet me të njëjtën përmbajtje, do të jetë shumëfish më i madh se në mandatin e kaluar”, ka deklaruar Rrahmani.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që para se të votojnë për këtë projektligj, të reflektojnë për vendimin e tyre dhe përgjegjësinë që mbart ai.

“I bëj thirrje secilit deputet që para se të niset për në Kuvend për ta votuar këtë Kod, së pari t’ua shpjegojë fëmijëve të tij, babait dhe nënës së tij se çfarë po voton dhe çfarë pasoja sjell ajo votë. Pastaj, le të niset për në Kuvend dhe ta marrë përgjegjësinë e plotë për votën e vet”, ka thënë ai.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri ka folur lidhur me rikthimin për shqyrtim në Kuvend të Kodit Civil.

Ai tha se kjo parti vazhdon të jetë kundër këtij projektligji.

“Kodi Civil, edhe kur diskutohet kurrë nuk ka qenë kushtëzim. AAK është deklaruar që është kundër, shumica e ka bllokuar këtë zbatim. Se çka do të ndodh nuk është përgjegjësi e Aleancës ne kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi”, u shpreh Tahiri.

Po ashtu edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj e ka dhënë të njëjtin qëndrim si të Tahirit.

“Jo, s’kemi ndryshuar qëndrim. Jemi kundër”, tha Kadrijaj.

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje u shpreh për “Front Online” se qëndrimi i saj kundër projektligjit për Kodin Civil mbetet i pandryshuar, edhe pas paralajmërimeve për rikthimin e tij për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Balje ka thënë se vazhdon të mbajë të njëjtin pozicion.

“Jo, nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim lidhur me Kodin Civil”, ka deklaruar Balje.

Deputetët që kanë votuar kundër Kodit Civil, në herën e parë kanë qenë: Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV) Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).

Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.