Pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it, kryeministri Albin Kurti priti në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, dhe komandantin e ri të misionit në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori.
“Në takimin e tretë këtë vit me Admiralin Wikoff dhe të parin me Gjeneralmajor Vergori, biseduam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimet dhe aktualitetin, sikurse për bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Republikës dhe NATO-s.
Jemi falënderues dhe mirënjohës për kontributin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, anëtare e së cilës synojmë të bëhemi, për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor. E, po ashtu për përkushtimin për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet”, shkroi në Facebook, Kurti.
Vergori mori komandën e KFOR-it sot nga gjenerali turk, Ozkan Ulutas. /Lajmi.net/
Burimi: lajmi.net ↗

