Kufizimet e reja mbi shpejtësinë me të cilën mund të lëvizin disa nga armët e Ukrainës dhe të mbeten të lidhura me rrjetin e internetit Starlink, kanë penguar "misionet" e Ukrainës në fushëbetejë, ka paralajmëruar këshilltari i presidentit Volodymyr Zelensky.
Serhiy Beskrestnov tha se Ukraina nuk ishte njoftuar për kufizimet e shpejtësisë – të vendosura brenda natës në 160 km/h – nga kompania SpaceX e Elon Musk.
Starlink është një mjet jetik që i mundëson Kievit të drejtojë në mënyrë efektive dronët drejt objektivave ruse dhe gjithashtu të mbrojë hapësirën ajrore ukrainase.
Beskrestnov tha se lëvizja e SpaceX "nuk mund të jetë rastësi dhe lidhet me situatën aktuale politike". Kompania nuk ka bërë asnjë koment, transmeton Klankosova.tv.
Në një postim të së mërkurës në Telegram, Beskrestnov tha se SpaceX kishte "zbatuar brenda natës një kufizim shpejtësie në terminalet Starlink" dhe kjo kishte çuar tashmë në "pengimin e një sërë misionesh".
Kjo ndodh në një kohë kur të paktën 600,000 njerëz në mbarë Ukrainën mbetën pa energji elektrike pas sulmeve vdekjeprurëse me raketa dhe dronë rusë gjatë natës, tha Zelensky.
Ai tha se infrastruktura "kritike" energjetike ishte goditur në Kiev dhe në rajonin e kryeqytetit, si dhe në qytetin verilindor të Kharkiv-it – pavarësisht pretendimit të presidentit amerikan Donald Trump të dielën se ekzistonte një "armëpushim energjetik" midis Rusisë dhe Ukrainës.
Tre persona humbën jetën në Kiev, thanë zyrtarët lokalë. Rusia deklaroi se sulmet e saj "masive" kishin goditur objektet e komunikimit dhe energjisë që përdoreshin nga ushtria ukrainase, raporton BBC.

