Ukraina është e gatshme të ndalë luftimet dhe të pranojë një armëpushim përgjatë vijës aktuale të kontaktit, me qëllim hapjen e rrugës për negociata diplomatike, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për televizionin Al Jazeera të Katarit.
Zelensky theksoi se Kievi është i gatshëm të ngrijë pozicionet ushtarake aty ku ndodhen aktualisht forcat, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, refuzon të tërheqë trupat nga territoret e pushtuara të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës, transmeton Telegrafi.
“Ne jemi të gatshëm për hapa të tillë – të qëndrojmë dhe të ndalemi aty ku jemi. Ne propozojmë armëpushim përgjatë vijës së kontaktit. A është kompromis? Sigurisht. Një kompromis shumë i madh. E kuptojmë se ai [Putini] nuk dëshiron të largohet nga toka jonë. Prandaj themi: në rregull, le të ndalemi këtu dhe të kalojmë te diplomacia”, deklaroi Zelensky.
Krahas konfirmimit të gatishmërisë për një armëpushim në vijën e frontit, presidenti ukrainas shprehu shpresën se presidenti amerikan, Donald Trump, do të vazhdojë të përdorë autoritetin e tij kushtetues për të gjetur një zgjidhje të konfliktit. Megjithatë, ai këmbënguli se Uashingtoni nuk duhet ta detyrojë vetëm Ukrainën të paguajë çmimin për përfundimin e luftës.
“Presidenti Trump do të vazhdojë të jetë president. Ai ka ende mjaftueshëm pushtet dhe Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara në anën e tij. Shpresoj që të vazhdojë të gjejë një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte, pa krijuar një situatë në të cilën vetëm Ukraina duhet të paguajë për këtë, sepse kjo nuk është e drejtë”, theksoi Zelensky.
Deklarata e tij riafirmon qëndrimin e vazhdueshëm të Kievit për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve përgjatë vijës së frontit, si hap të parë drejt negociatave diplomatike. Ajo vjen pas një interviste të gjerë që Zelensky kishte dhënë për BBC-në.
Ai bëri të ditur se bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi nuk prodhuan përparim, pasi Moska u rikthye te kërkesat maksimale.
Ndërkohë, i dërguari special i presidentit amerikan, Jared Kushner, pranoi në një intervistë për podkastin “MD Meets” gjatë kësaj jave se Putini vazhdon të mos jetë i interesuar për një qasje që nis me armëpushim të menjëhershëm.
Deklaratat e Kushnerit shkaktuan reagime kritike në Kiev dhe në disa vende evropiane, pasi ai e kishte përshkruar Putinin si një “mjeshtër të madh të politikës” dhe pushtimin rus të Ukrainës si një “luftë përfaqësuese” evropiane. /Telegrafi/

