KORREKT / SOT14 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Pasuria e ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski: Prona në Karposh, aksione në kompani private dhe të ardhura të ndryshme

Pasuria e ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski: Prona në Karposh, aksione në kompani private dhe të ardhura të ndryshme

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka publikuar gjendjen e pasurisë të ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Të dhënat zyrtare tregojnë një pasuri të larmishme të shtrirë në patundshmëri, biznese private dhe fitime kapitale të konsiderueshme, krahas detyrimeve kreditore që ai ka ndaj bankave në vend.

Nga të dhënat e deklaruara, shihet se Klekovski posedon banesa, disa kompani dhe të ardhura të ndryshme. Më poshtë e keni pasurinë e deklaruar nga Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski.

Patundshmëritë luksoze në Shkup: Ministri Klekovski ka deklaruar pronësi personale mbi një banesë të madhe prej 99 metra katrorë në komunën e Karposhit, e cila kap vlerën e lartë prej 12 milionë denarësh (rreth 195,000 euro), e përfituar përmes një kontrate ndërtimi. Po ashtu, ai posedon personalisht edhe një banesë tjetër prej 42 metrash katrorë në Gazi Babë të fituar me trashëgimi, ndërsa bashkëshortja e tij është bashkëpronare e një banese prej 58 metrash katrorë po në Karposh.

Pjesëmarrja në biznese (Aksionet): Klekovski dhe bashkëshortja e tij rezultojnë me aksione të fuqishme në kompaninë A&M DOO Shkup. Ministri zotëron personalisht 25 aksione me vlerë nominale 1,500 euro, ndërsa bashkëshortja e tij mban pjesën më të madhe me 75 aksione me vlerë nominale 4,500 euro. Përveç kësaj, ministri ka aksione personale edhe në dy kompani të tjera: Adriatik Konsalting grupa dhe M prospekt DOO.

Fitime të majme nga dividenta: Një nga pikat më të veçanta të këtij deklarimi është kategoria e fitimeve kapitale. Ministri Klekovski ka regjistruar të ardhura personale neto prej 1 milion denarësh (mbi 16,000 euro) vetëm nga dividenta.

Të ardhurat mujore të familjes: Në emër të funksionit të tij, ministri ka deklaruar një pagë mujore neto prej 120,000 denarësh nga Ministria e Shëndetësisë. Të ardhura nga pagat sigurojnë edhe anëtarët e tjerë të familjes: bashkëshortja merr një pagë prej 35,000 denarësh nga firma A&M DOO, ndërsa fëmijët e tij janë të punësuar në sektorin civil, ku realizojnë paga prej 46,999 denarësh në Fondacionin Maqedonas për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MRFP) dhe 37,000 denarësh në Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS).

Kredi hipotekare afatgjatë: Krahas pasurisë dhe bizneseve, ministri ka deklaruar edhe një ngarkesë financiare. Ai ka obligim personal për një kredi hipotekare prej 1.800.000 denarësh (rreth 30,000 euro), e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe pritet të shlyhet plotësisht deri në gusht të vitit 2029.

Automjetet dhe llogaritë: Familja Klekovski posedon një veturë të tipit SEAT Ibiza (viti i prodhimit 2007) në emër të bashkëshortes, e vlerësuar në momentin e blerjes 800,000 denarë.

Ndërsa në llogaritë bankare, përveç llogarive të transaksionit në denarë, fëmijët e ministrit kanë të hapur edhe një llogari devizore (në valutë të huaj)./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.